Sezona verore është një nga periudhat më relaksuese të vitit e sidomos pjesa e pushimeve dhe udhëtimeve të ndryshme. E ky relaks ne si individ na nxitë që të kemi edhe një qasje më të lirë dhe të qetë sa i përket financave personale dhe shpenzimeve.
Përderisa kjo periudhë nga qershori deri te fundi i gushtit mund të jetë e dobishme, të qenit tepër i relaksuar për nga menaxhimi i financave personale mund t’ju shpërqëndrojë nga arritja e objektivave tuaja financiare.
Në këtë pikë ja vlen të bëhet një “check” i financave me pa nëse ka pasë një fryrje të shpenzimeve gjatë verës por edhe të kuptoni gjendjen tuaj financiare. Në këtë postim, Money Whiz paraqet disa kontrolla që ja vlenë të bëhen.
A JENI SIPAS PLANIT NË ARRITJEN E OBJEKTIVAT TUAJA FINANCIARE?
A po ndiqni në mënyrë aktive objektivat financiare? Ato mund të jenë të thjeshta si: fillimi i buxhetimit të financave personale apo edhe ato objektivat si p.sh. kursimi i një pjese të parave për blerjen e një shtëpie, veture, ose një kursim i përgjithshëm (p.sh. €1,000). Për ju që planifikoni edhe të bëni investime në tregjet financiare, a keni bërë progres në këtë drejtim?
Në këtë përfundim vere, merrni parasysh të gjithë faktorët rreth gjendjes së financave personale dhe modifikoni strategjinë tuaj ose përshtatjen e qëllimeve tuaja për t’i arritur më mirë objektivat tuaja financiare.
A JENI DUKE I MENAXHUAR BORXHET TUAJA FINANCIARE?
Nëse ke një kredi bankare aktive, është e këshillueshme që të vlerësoni shumën që keni arritur ta paguani deri në këtë fazë. Në situatat kur normat tuaja të interesit janë të ngritura (p.sh. ato kredi me EURIBOR) duhet të kuptoni se sa është rritur kësti mujor dhe si ju ndikon juve në buxhetin tuaj financiar.
Për ju që keni përdorur kredit kartelat gjatë verës, kontrolloni bilancet tuaja në kredit kartelë dhe shlyeni ato. Në secilin skenar, është mirë të vlerësoni përparimin tuaj dhe të fitoni një pamje të qartë të gjendjes suaj financiare në këtë fazë të vitit.
A KENI NDËRTUAR NJË FOND TË KURSIMEVE EMERGJENTE?
Nëse nuk keni një fond emergjence, duhet të filloni të kurseni për një. Një fond emergjence është një llogari kursimi me para të mjaftueshme në të për të siguruar për gjashtë muaj (ose varësisht rrethanave tuaja financiare) pa asnjë të ardhur. Kjo do të shërbejë për ndonjë befasi të paparashikuar (p.sh. në rastin e pandemisë, largimi nga puna, apo në rastin më të keq edhe ndonjë sfidë shëndetësore).
Pavarësisht se në çfarë përfundimi vini në këtë fazë të vitit, ju keni ende kohë deri në fund të vitit të bëni ndryshime ose të filloni në implementimin e objektivave tuaja. Nëse po ia dilni më mirë nga sa keni menduar, tani e dini se ajo që po bëni po funksionon dhe mund të vazhdoni. Sido që të jetë, të dish se ku je është më mirë sesa të jesh në errësirë.
Si gjithmonë nëse keni ndonjë pyetje apo keni nevojë për ndonjë këshillë, mund të shkruani në blog.moneywhiz@gmail.com ose direkt në faqen e Money Whiz në instagram (moneywhiz).