Paraja kesh është një nga pasuritë thelbësore për të gjithë. Grumbullimi i sasive të mëdha në formë kursimi apo vetëm duke i lënë ato në llogaritë bankare është vendim i zakonshëm dhe i kuptueshëm por irracional. Kjo dëshmohet edhe nga statistikat zyrtare që publikohen nga Banka Qëndrore e Kosovës në lidhje me depozitat e qytetarëve të Kosovës që vazhdojnë të rriten. P.sh. në maj 2023 vlera totale e depozitave bankare (pra kesh në banka) arriti vlerë prej EUR 5.6 miliardë nga të cilat rreth 70% përbëhen nga qytetarët. Për vite të tëra, normat e interesit në llogari të kursimeve dhe llogari rrjedhëse kanë qenë gati 0%. Duhet të them që në kohën e fundit ka pak rritje të normave të interesit për llogaritë e kursimeve, por ato varen nga produktet e ndryshme të ofruara nga bankat komerciale.
Në këtë postim, do të mundohem të përshkruaj parimet e shëndosha se si të përdorim paratë e gatshme (keshin) në mënyrë efektive për arritjen e qëllimeve tuaja. Bazuar në nevojat tuaja afatshkurtra dhe afatmesme ju mund t’i kategorizoni paratë tuaja kesh si më poshtë:
KESH PËR SHPENZIMET DITORE
Kategoria e parë e parave kesh duhet të shërbejë për shpenzimet ditore. Është plotësisht e kuptueshme që mbajtja e një sasie të caktuar për shpenzimet ditore është e nevojshme sepse kërkohet akses i lehtë dhe i shpejtë për blerjet e ndryshme ditore dhe obligimet e tjera financiare (p.sh. këste kredie, kredit kartela).
Shuma që duhet të mbani në llogarinë tuaj do të varet nga faktorë të tillë si buxheti juaj dhe stabiliteti i të ardhurave tuaja. Këtu duhet të përfshihen edhe shpenzimet e planifikuara si p.sh. ato që do të ndodhin pas 2 muajve. Kjo kategori shërben për nevojat afatshkurtra, pra 0 deri 12 muaj. Monitorimi i shpenzimeve mujore dhe buxhetimi jau lehtësojnë menaxhimin e kësaj kategorie të parave kesh.
KESH PËR MBROJTJE NDAJ BEFASIVE QË MUND TË SJELLË JETA
Kategoria e dytë e parave kesh ka të bëjë me krijimin e një sasie fondi të ashtuquajtur “emergjent”. Kjo do të shërbejë për ndonjë befasi të paparashikuar (p.sh. në rastin e pandemisë, largimi nga puna, apo në rastin më të keq edhe ndonjë sfidë shëndetësore). Sa duhet të jetë ky fond? Zakonisht rekomandohet grumbullimi i mjeteve që të mundësojë mbulimin e 3-6 muaj të shpenzimeve mujore. Kjo varet edhe nga rrethanat personale. Kjo kategori mund të karakterizohet si për nevojat afatmesme dhe qasja në këtë fond duhet të jetë relativisht e lehtë. Paratë mund edhe të afatizohen në depozita të ndryshme bankare sa për të fituar pak interes deri sa ato qëndrojnë në bankë. Afatizimi mund të jetë prej 6 deri në 12 muaj. Dhe mund të ri-afatizohet sipas rrethanave.
KESH I PLANIFIKUAR PËR NDONJË BLERJE MË TË MADHE
Kjo kategori mund edhe të mos ekzistojë për disa dhe varet nga rrethanat personale. Por këtu kategorizohen blerjet më të mëdha që mund të ndodhin në të ardhmen e afërt (12-24 muaj). P.sh. nëse planifikoni blerjen e një shtëpie, atëherë grumbullimi i depozitës për shtëpi mund të hyjë në këtë kategori. Shembuj të tjerë janë renovimet e ndryshme, blerja e veturës e shumë shembuj të tjerë. Shuma e grumbulluar në këtë kategori gjithashtu mund të afatizohet në llogritë e kursimeve bankare për atë periudhë deri sa të bëhet blerja e planifikuar. Në këtë mënyrë paratë tuaja mund të fitojnë pak kamatë dhe janë të qasshme sipas afatit të përcaktuar.
E PJESA E MBETUR E KESH-it?
Kategorizimi më lartë është sipas qëllimeve që ne mund të kemi si individë apo edhe familje në periudhën afatshkurtër dhe afatmesëm. Por nëse vazhdimisht grumbulloni para kesh në llogaritë bankare, mendoj që këtu filloni të dëmtoheni sepse ato para vazhdimisht e humbin vlerën e tyre edhe pse sepse balanca në llogari bankare nuk ndryshon si numër. Ja një shembull ilustrativ:

Nëse ne i vendosim €10,000 në bankë dhe ato nuk fitojnë asnjë interes bankar e ndërkohë inflacioni vjetor është 2% mesatarisht (e që kjo në Kosovë ka qenë shumë më e lartë në kohët e fundit), atëherë fuqia blerëse e këtyre €10,000 pas 20 viteve është rreth €6,700 e pas 40 viteve rreth €4,500. Ose ndryshe me ilustru, pas 40 viteve gjendja juaj bankare do të jetë e njëjta, pra €10,000 por fuqia blerëse vetëm €4,500. Pra kjo tregon një dëmtim shumë të madh të fuqisë tonë blerëse.
SI PËRFUNDIM!
Mbajtja e disa kursimeve kesh në llogaritë bankare nuk është keq dhe normal inkurajohet që të bëhet kjo. Por, kjo bëhet ashtu si duhet kur ju keni qëllime të përcaktuara dhe ato qëllime kanë një periudhë kohore si shpjegohet edhe në kategorizimet më lartë.
Por pjesa e mbetur e parave që janë për periudhë më afatgjatë si p.sh. planifiki i shkollimit të fëmijëve apo planifikimi për pensionim mund të investohen në platformat tjera investuese. Nuk e kam fjalën vetëm për patundshmëri apo edhe bizneve vetanake. Por në fonde investuese globale. Po kjo është e mundur të bëhet edhe nga Kosova. Në një postim tjetër do të shtjellohet më detajisht. Kaq për këtë postim.