Ndodhë që shumë nga ju i i keni bërë vetës këto pyetje “A duhet të kursej apo të investoj?” Ose nuk jeni të sigurtë se “Cilat janë dallimet në mes të kursimeve në bankë dhe investimeve në tregjet kapitale?” Apo nuk jeni të sigurtë se cili opsion është më i përshtatshëm për ju?
Postimi në vazhdim do t’ju ofroi më shumë qartësi rreth këtyre dilemave, me qëllimin kryesor lehtësimin në vendimmarrjes suaj.
KURSIMET NË BANKË
Blog postimet rreth kursimeve në Money Whiz janë bërë disa, duke shtjelluar këndvështrime të ndryshme. P.sh. postimi i parë i blogut ka trajtuar mënyrën se si të filloni të kurseni. Postimi i dytë tregon si funksionojnë llogaritë e kursimit. Postimi i tretë përshkruan parimet e shëndosha se si të përdorim paratë e gatshme (kesh apo kursimet) në mënyrë efektive për arritjen e qëllimeve tuaja. Por edhe postimet tjera prekin temën e kursimeve.
Nëse bëhet një përmbledhje e të gjitha këtyre postimeve, mund të thuhet që kursimet janë para që ndahen nga të ardhurat dhe akumulohen në llogari bankare. Ato mund të vendosen në llogari të veçantë të kursimeve apo mund të akumulohen edhe në llogari rrjedhëse. Gjithashtu një tjetër mënyrë e kursimit janë afatizimet bankare ku ju pranoni që për kohë të caktuar ti “bllokoni” paratë në bankë. Për dallim nga llogaritë e kursimeve dhe ato rrjedhëse, qasja në kursimet me afatizime është më e vështirë dhe ka penallti për tërheqje para afatit. Mbajtja e disa kursimeve në llogaritë bankare nuk është keq dhe normal inkurajohet që të bëhet në formën e duhur.
A janë të sigurta kursimet në bankat vendore? Një rrezik i kursimeve është që në rast të problemeve financiare në sektorin bankar ku mund të shkaktohet edhe ndonjë falimentim i ndonjë banke, atëherë depozituesit në Kosovë janë të siguruar, për secilën bankë anëtare, deri në shumën e siguruar prej EUR 5,000. Këtu përfshihen paratë në llogari rrjedhëse, atë të kursimeve apo edhe depozitat me afat. Mbi këtë shumë parash, çdo vlerë tjeter mund të konsiderohet e humbur.
Një tjetër rrezik i kursimeve është inflacioni. Sa më i lartë që është inflacioni aq më shumë është humbja e fuqisë blerëse. Këtë vit norma mesatare e inflacionit është 6.5% për periudhën janar – korrik. Ndërsa sipas të dhënave të fundit (Korrik 2023) të Bankës Qëndrore të Kosovës, norma mesatare e interesit që fitoni për paratë që mbani në llogaritë rrjedhëse është 0%, ato në llogaritë e kursimeve mesatarisht fitojnë interes prej 0.2%, dhe kursimet me afatazime fitojnë mesatarisht 2.3% interes varësisht sa gjatë afatizohen paratë. Çka do të thotë kjo? Kur kurseni, paratë tuaja zakonisht nuk rriten aq shpejt sa rritet inflacioni dhe si pasojë ato hupin fuqinë blerëse.
INVESTIMET NË TREGJET KAPITALE
Investimi është një mënyrë tjetër për të kursyer paratë për të ardhmen afatgjatë, dhe kur investon në fonde investuese synimi është rritja e shumës dhe vlerës së parave tuaja. Për dallim nga kursimet në bankë, kur investoni në tregjet kapitale, ju jeni të ekspozuar nga rreziku i luhatjes së tregjeve investuese. Pra, vlera e investimit tuaj ka luhatje më shumë sidomos në periudhën afatshkurtër dhe ajo mund të zvogëlohet apo rritet.
Atëherë ju mund të pyesni pse ta marrim këtë rrezik të humbjes së parave? Historikisht, investimi i parave tuaja në tregjet kapitale në periudhën afatgjate ka rezultuar në rritjen e shumës së parave tuaja duke e tejkaluar edhe inflacionin. Ja një shembull faktik, p.sh. nëse marrim indeksin investues të 500 kompanive më të mëdha në SHBA dhe e shikojmë periudhën nga 1980 deri 2022, atëherë na rezulton që kthimi vjetor do të ishte 8.7% për çdo vit. Ose ndryshe thënë nëse do të investonit EUR 10,000 në 1980 dhe do të vendosnit që ato të tërhiqen në vitin 2022, atëherë vlera e tyre do të arrinte në EUR 361,302. Norma mesatare vjetore e inflacionit gjatë kësaj periudhe ka qenë 3.3%. Grafika e mëposhtme paraqet evolvimin e këtij indeksi investues.
Gjithashtu duhet të thuhet që në periudhë afatgjatë trendi i rritjes është evident por siç shihet edhe në grafikën më lartë në disa periudha më afatshkurta ka rënie dhe luhatje negative të indeksit. Pra, nëse nuk jeni gati që të vendosni paratë për periudhë afatgjate, atëherë ndoshta nuk jeni gati për të investuar ende.
Si përmbledhje, investimi në tregje kapitale bëhet për periudhën afatgjate dhe për qëllime më afatgjate (p.sh. shkollimi i fëmijëve, pensionimi etj) dhe ka rreziqet e veta. Në këmbim të këtyre rreziqeve ofron rritje më shumë se sa kursimi dhe inflacioni.
Ka mënyra, strategji dhe fonde të ndryshme të investimit që përfaqësojnë rreziqe dhe benefite të ndryshme, varësisht qëllimeve të investimit dhe investitorit.
A ËSHTË KURSIMI APO INVESTIMI I DUHUR PËR MUA?
Varësisht qëllimeve tuaja. Por të dy opsionet mund të funksionojnë, p.sh. për qëllime afatshkurta – kursimi dhe për qëllimet afatgjata – investimi. Ndoshta një pyetje që duhet shtruar vetës është: A jam i përkushtuar t’i lë paratë pa prekur për 5 vjet ose më gjatë?
Investimi në tregjet kapitale kërkon qasje afatgjate dhe durim. Për ju që mendoni të investoni në tregjet kapitale, është mirë të mendohet në bazë të buxhetit tuaj financiar, se çfarë shume vjetore apo mujore mund të përballoni të ndani për investime? Sa më herët të filloni të ndërtoni portfolion tuaj të investimeve aq më shumë në favor tuaj është koha sepse kthimi i përbërë (“compounding return”) e bën ndryshimin në investime. Ja një shembull ilustures.
Grafika paraqet tre investitorë që kanë filluar të investojnë në mosha të ndryshme por maksimalisht investojnë deri në moshën 65 vjeçare që është edhe mosha e pensionimit. Pra ai që ka filluar nga mosha 25 vjeçare akumulon më shumë para se tjerët sepse ai ka periudhën më të gjatë të investimit.
Si përfundim, zgjedhja më e mirë për ju varet nga dëshirat tuaja dhe rrethanat personale.