Një ndër temat më aktuale që na prekë të gjithë është inflacioni në Kosovë. Që nga pandemia të gjithë ne jemi ballafaquar me një rritje të përgjithshme të çmimeve. Por si shpjegohet kjo? Në këtë postim të Money Whiz do të adresohen disa përgjigje në lidhje me inflacionin në Kosovë, specifikisht:
- Çka do të thotë termi inflacion?
- Si matet inflacioni në Kosovë?
- Si interpretohet inflacioni?
- Cilat janë efektet e inflacionit?
ÇKA DO TË THOTË TERMI INFLACION?
Në mënyrën më të thjeshtë të përkufizimit, inflacioni ndodhë kur ka një rritje në nivelin e përgjithshëm të çmimeve të gjësendeve dhe shërbimeve të ndryshme që blihen nga familjet. Fjalët kyçe këtu janë “në nivelin e përgjithshëm”. Shumica nga ne blejmë një shportë të gjësendeve dhe shërbimeve të ndryshme çdo ditë, çmimet e të cilave mund të rriten apo zvogëlohen. Ndryshimet e çmimeve në disa prej këtyre gjësendeve, si ushqimi dhe energjia elektrike, janë më të dukshme se të tjerat. Gjithashtu, njerëzit nuk blejnë saktësisht të njëjtat gjëra, p.sh. shporta e blerjeve të një personi të punësuar do të jetë shumë më ndryshe nga shporta e blerjeve të një pensionisti apo adoleshenti. Pra grupe të ndryshme të njerëzve ndikohen ndryshe nga çdo ndryshim çmimi.
SI MATET INFLACIONI NË KOSOVË?
Niveli i çmimeve në Kosovë matet nga katër indekse të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) e këto janë: indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit (IHÇK), indeksi i çmimeve të prodhimit, indeksi i çmimeve të importit dhe indeksi i kostos së ndërtimit. Fokusi këtu është në indeksin e harmonizuar të çmimeve të konsumit (IHÇK) që është edhe kryesori për nga trendet e konsumit të familjeve në Kosovë.
Inflacioni në Kosovë matet nga ASK dhe përpunohet sipas standardeve ndërkombëtare (Eurostati Evropian). Inflacioni mujor shfaqet në formë të një indeksi që quhet Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit (IHÇK). Çmimet e konsumit mblidhen prej datës 10 deri 20 të muajit në 14 Komuna të Kosovës dhe pastaj sipas peshës së përcaktuar nga ASK për çdo produkt, ato përllogariten për të publikuar inflacionin mujor. Pra, tre hapat merren për të matur inflacionin (IHÇK) në Kosovë:
- Stafi i ASK mbledhë çmime për një numër të artikujve specifik (shpesh të quajtur shporta e tregut). Qëllimi është që të mblidhen të gjitha çmimet, pikërisht të artikujve të njëjtë për çdo muaj. Çmimet mblidhen në supermarkete, ndërmarrje shërbyese, dyqane, tregje dhe pika tjera të shitjes me pakicë.
- Këto çmime përpunohen, peshohen dhe krahasohen me çmimet e produkteve të njëjta në periudha të ndryshme kohore. Kjo bëhet sipas metodës të Eurostatit Evropian duke reflektuar trendet aktuale të konsumit në Kosovë.
- Rezultati final shfaqet në formën e indeksit që quhet edhe Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit (IHÇK) që është njësi kohore e krahasimit të çmimeve.
Gjatë llogaritjes së rritjes mesatare të çmimeve, çmimeve të produkteve për të cilat shpenzojmë më shumë – siç është ushqimi apo energjia elektrike – u jepet një peshë më e madhe se çmimeve të produkteve për të cilat shpenzojmë më pak – për shembull, shërbimet postare. Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit në Kosovë – Inflacioni, merr parasysh 12 grupe të produkteve që reflektojnë trendet aktuale të konsumit në Kosovë. Grafika e mëposhtme paraqet peshat që këto 12 grupe të produkteve kanë në përllogaritjen e inflacionit në Kosovë.
P.sh. sipas trendeve aktuale të konsumit në Kosovë, shporta e konsumatorit përbëhet nga produktet ushqimore dhe pijet joalkoolike me 38.3%, transporti (që në këtë rast janë vetëm blerjet e automjeteve) me 18.3%, strehimi, uji, energjia elektrike, gazi dhe lëndë djegëse të tjera me 8.9%, pijet alkoolike, duhani me 6.4% dhe kështu me radhë. Këto 4 grupet e para përbëjnë gjithsej 71.9% të shportës së konsumatorit.
SI INTERPRETOHET INFLACIONI?
Norma e inflacionit është përqindja e rritjes ose uljes së çmimeve gjatë një periudhe të caktuar, zakonisht një muaj ose një vit. Përqindja ju tregon se sa shpejt u rritën çmimet gjatë asaj periudhe. Grafika e mëposhtme tregon normën vjetore të inflacionit gjatë periudhës mujore nga Janari 2021 – Shkurt 2023 që është publikimi i fundit i të dhënave. Çfarë mund të thuhet nga grafika është se nga muaji janar 2021, norma e inflacionit kishte një trend të shpejtë të rritjes duke arritur kulmin në verë, në muajin Korrik 2022 me 14.2%. Pra shporta e konsumatorit në muajin Korrik 2022 kishte një rritje të çmimeve prej 14.2% në krahasim me çmimet e Korrikut 2021. Nga Korriku 2022, çmimet kanë një trend të uljes siç paraqitet edhe më poshtë.
CILAT JANË EFEKTET E INFLACIONIT?
Pa dyshim që të gjithë jemi të prekur nga rritja e nivelit të çmimeve. Për tu përballur më këto rritje të çmimeve zakonisht edhe ndrrojmë mënyrën e konsumimit të produkteve dhe shërbimeve. P.sh. mund të anulojmë pushimet apo udhëtimet argëtuese, ose të zvogëlojmë përdorimin e veturës, apo edhe shtyerjen e disa blerjeve që nuk janë urgjente. Një rritje e tillë e çmimeve që kemi përjetuar që nga pandemia na ka ndikuar negativisht në zvogëlimin e fuqisë blerëse si konsumatorë (gjithmonë duke supozuar që të ardhurat nuk janë rritur paralelisht me rritjen e çmimeve).
Por duhet të ceket që jo të gjithë janë ndikuar në mënyrë të barabartë nga inflacioni. Familjet me të ardhura të ulëta janë më të ndikuarat nga inflacioni. Kjo ndodhë sepse ata shpenzojnë më shumë nga të ardhurat e tyre për nevoja si ushqimi, dhe rryma, uji, e lëndët djegëse – kategori që janë edhe bazike për jetesë. Kur çmimet rriten, familjet me të ardhura të mesme mund të reagojnë duke zëvendësuar konsumin me produkte më të lira. Por familjet me të ardhura të ulëta nuk kanë të njëjtin fleksibilitet sepse ata tashmë veç konsumojnë produktet më të lira.
Si përfundim, lajmi i mirë është që inflacioni ka një trend të uljes edhe pse është ende pozitiv dhe mbi mesataren e vitit 2021. Kjo nuk do të thotë që çmimet do të bien në nivelin e çmimeve të vitit 2021. Por ka një indikacion të normalizimit të tyre.