Nëse ke marrë ndonjëherë kredi në bankë, ka shumë mundësi që ke nënshkruar edhe një sigurim jete. Ndoshta as nuk e ke vërejtur. Ndoshta ta ka përmendur zyrtari i bankës si “diçka rutinë” dhe ti ke thënë “po, dakord” pa menduar shumë.
Ky sigurim ekziston dhe ka vlerë. Por sot dua të flas hapur për diçka që shumë nga ju edhe mund të mos e dini: sigurimi i jetës që ke nga banka nuk është i njëjti me sigurimin e vërtetë të jetës.
Çfarë ndodh sot në Kosovë?
Tregu i sigurimeve në Kosovë dominohet pothuajse tërësisht nga sigurimi i detyrueshëm i automjeteve. Kur ne dëgjojmë fjalën “sigurim”, menjëherë mendojnë për TPL të veturës ose ai shëndetsor. Sigurimi vullnetar, përfshirë sigurimin e jetës, përbën një përqindje shumë të vogël të tregut.
Kjo do të thotë që shumica dërmuese e njerëzve që kanë ndonjë formë të sigurimit të jetës, mund ta kenë sepse banka ua ka kërkuar kur kanë marrë kredi. Nuk e kanë blerë vetë. Nuk e kanë zgjedhur vetë. Dhe shpesh, nuk e kuptojnë se çfarë mbulon dhe çfarë nuk mbulon.
Si funksionon sigurimi i jetës nga banka (sigurimi i kredisë)?
Nëse ti vdes ose bëhesh i paaftë për punë gjatë periudhës së kredisë, kompania e sigurimeve e shlyen borxhin e mbetur të kredisë direkt bankës. Familja jote nuk trashëgon borxhin. Kjo është gjëja pozitive.
Zakonisht ka disa nivele të mbulimit. Niveli bazë mbulon vetëm vdekjen aksidentale dhe paaftësinë nga aksidenti. Niveli mesatar shton edhe vdekjen natyrore (nga sëmundjet). Ndërsa niveli më i lartë jo vetëm që shlyen borxhin e mbetur, por i kthen familjes edhe pjesën e kredisë që e ke paguar tashmë.
Primi (pagesa mujore) zakonisht është relativisht i vogël dhe paguhet bashkë me këstin e kredisë, kështu që shumë njerëz as nuk e vërejnë si shpenzim të veçantë.
Ku është problemi?
Problemi nuk është se ky sigurim është i keq. Problemi është se shumë njerëz mendojnë se ky sigurim i mbulon plotësisht, kur në fakt ai mbulon vetëm një gjë: borxhin ndaj bankës.
Le ta ilustrojmë me një shembull:
Artani ka 35 vjet, punon dhe fiton 700 euro në muaj. Ka marrë kredi për banesë prej 40,000 eurosh. Përmes bankës, ka sigurim jete që mbulon kredinë. Artani ka bashkëshorten Lindën, e cila punon me gjysmë orari dhe fiton 300 euro, dhe dy fëmijë, njëri 4 vjeç dhe tjetra 8 vjeçe.
Nëse Artanit i ndodh e papritura, ja çfarë ndodh:
Sigurimi i kredisë e shlyen borxhin e mbetur të kredisë (le të themi 30,000 euro). Kjo do të thotë që Linda nuk do të ketë borxh për banesën. Kjo është mirë.
Por Linda tani jeton pa 700 eurot e Artanit, me dy fëmijë dhe me shpenzime mujore të banesës, ushqimit, shkollave, rrymës, ujit etj. Sigurimi i kredisë nuk i jep asnjë euro Lindës dhe fëmijëve.
Kjo është boshllëku. Borxhi u shlye, por jeta vazhdon dhe shpenzimet nuk ndalen.
Çfarë është sigurimi i jetës me afat (term life insurance)?
Sigurimi i jetës me afat është diçka krejt tjetër. Funksionon kështu:
Në parim, përcaktohet një shumë sigurimi dhe një periudhë kohore. Nëse i siguruari vdes brenda kësaj periudhe, kompania e sigurimeve ua paguan shumën e përcaktuar përfituesve, zakonisht familjes. Paratë i shkojnë familjes, jo bankës, dhe familja vendos se si t’i përdorë. Në Kosovë, ky lloj sigurimi ekziston por tregu është ende i kufizuar krahasuar me vendet tjera.
Krahasimi i drejtpërdrejtë
Le t’i vëmë përballë dy sigurimet:
| Sigurimi i kredisë | Sigurimi i jetës me afat | |
|---|---|---|
| Kë mbron? | Bankën | Familjen |
| Çfarë paguan? | Borxhin e mbetur të kredisë | Një shumë të caktuar për familjen |
| Si ndryshon shuma? | Zvogëlohet me kalimin e kohës | Mbetet e njëjtë gjatë gjithë periudhës |
| Kush përfiton? | Banka | Personi që ti zgjedh |
| A merr familja para direkt? | Zakonisht jo | Po |
| Sa zgjat mbulimi? | Deri sa të përfundojë kredia | Për aq vite sa zgjedh ti |
| A lidhet me kredi? | Po | Jo domosdoshmërisht |
Njëri mbron borxhin. Tjetri mbron njerëzit.
Kush ka nevojë për sigurim jete me afat?
Përgjigja e thjeshtë: kushdo që ka dikë që varet financiarisht prej tij ose saj.
Në financa personale, sigurimi i jetës nuk shihet vetëm si produkt financiar, por si pjesë e menaxhimit të riskut. Çdo familje përballet me rreziqe që mund ta dëmtojnë stabilitetin financiar: humbja e të ardhurave, sëmundja, paaftësia për punë apo vdekja e personit që siguron shumicën e të ardhurave. Sigurimi i jetës shërben si mekanizëm menaxhimi të riskut: me një kosto relativisht të vogël (pagesa e primit), familja mbrohet nga humbja e madhe financiare që mund të vijë nëse humbet personi që sjell të ardhurat kryesore.
Po kush nuk ka nevojë? Nëse je beqar/e pa varësi financiare nga askush, atëherë sigurimi i jetës nuk ka kuptim. Gjithashtu, nëse ke grumbulluar mjaftueshëm pasuri dhe kursime, nevoja zvogëlohet. Dhe nëse fëmijët e tu janë rritur dhe janë financiarisht të pavarur, nevoja praktikisht zhduket.
Çfarë duhet të dish para se të blesh?
Ka disa gjëra që ia vlen t’i kesh parasysh:
- Lexo kushtet me kujdes. Çdo policë sigurimi ka përjashtime.
- Primi varet nga disa faktorë si mosha, gjinia, profesioni, gjendja shëndetësore. Sa më i ri je dhe sa më i shëndetshëm, aq më i lirë është primi.
- Primi duhet paguar me kohë.Nëse nuk e paguan primin brenda afatit, polica anulohet.
- Zakonisht, nëse asgjë nuk ndodh gjatë periudhës së sigurimit, polica përfundon pa pagesë nga kompania, njësoj si shumica e formave të tjera të sigurimit.
Përfundim
Në Kosovë, shumë njerëz e marrin sigurimin e jetës bashkë me kredinë dhe nuk ndalen shumë ta analizojnë më tej. Kjo është krejt normale. Por ia vlen të kuptosh çfarë mbulon ai sigurim dhe nëse do të ishte i mjaftueshëm për familjen tënde në një situatë të vështirë.
Sigurimi i jetës nuk ka të bëjë vetëm me shlyerjen e një borxhi. Ai është pjesë e planifikimit financiar dhe menaxhimit të riskut për familjen. Për shumë njerëz, një sigurim jete me afat mund të jetë një mënyrë e thjeshtë dhe relativisht e përballueshme për të krijuar më shumë siguri financiare për njerëzit që i duan.
Gjithmonë lexo kushtet me kujdes.

