Shumë nga ne shqetësohen për shpenzimet e vogla të përditshme si kafenetë apo abonimet mujore, por në realitet këto nuk janë ato që e rrezikojnë seriozisht gjendjen financiare personale. Problemi i vërtetë shpesh qëndron te vendimet e mëdha financiare, si blerja e një shtëpie të shtrenjtë.
Shpenzimet e vogla nuk ju “falimentojnë”
Mund të kurseni disa qindra euro në vit duke hequr dorë nga kafenetë jashtë, por kjo nuk do të vendosë nëse jeni i qëndrueshëm financiarisht. Shpenzimet e vogla kanë ndikim minimal. Ajo që mund të ju rëndojë vërtet janë kreditë e mëdha, makinat e shtrenjta dhe sidomos një shtëpi përtej mundësive tuaja.
Një shtëpi e shtrenjtë = një jetë e shtrenjtë
Blerja e një shtëpie është shpesh investimi më i madh në jetën e një individi. Nëse vendosni të blini një shtëpi të madhe dhe luksoze, kjo mund të detyroj: të merrni kredi më të mëdha,T ë rrisni shpenzimet mujore fikse, dhe të shtoni kosto të tjera si mobilimi, sigurimi dhe tatimi në pronë. Shumë shpesh, një shtëpi e shtrenjtë çon në një stil jetese të shtrenjtë, makinë më luksoze, hobi më të kushtueshëm, dhe më shumë shpenzime të vazhdueshme.
Çfarë ndodh nëse të ardhurat bien?
Në rast të një uljeje të të ardhurave ose një emergjence financiare, është e lehtë të anuloni shpenzime të vogla. Por nuk është aq e lehtë të ulni këstin e kredisë ose të shisni shpejt një shtëpi pa humbje. Këto janë shpenzime që ju mbajnë të lidhur dhe ju kufizojnë lirinë financiare.
Fondi emergjent – mburoja juaj financiare
Një rregull i artë është që të krijoni një fond emergjent sa shpenzimet tuaja fikse për së paku 6 muaj. P.sh. nëse shpenzimet tuaja janë 1,000 euro në muaj, duhet të keni të paktën 6,000 euro të rezervuara në një llogari të veçantë.
Nëse nuk arrini ta krijoni këtë fond, kjo është një shenjë se kostot tuaja fikse janë shumë të larta dhe duhet të bëni ndryshime shpesh duke rishikuar shtëpinë apo kredinë që keni marrë.
Përfundim
Një shtëpi e shtrenjtë mund të duket si një ëndërr, por në realitet shpesh e bën jetën financiare më të vështirë. Vendimet e mëdha financiare kanë shumë më tepër ndikim sesa zakonet e vogla të përditshme. Planifikimi, kursimet dhe fondi emergjent janë çelësi për një jetë të qëndrueshme financiarisht.

