Shumë prej nesh mendojmë për financat në afat të shkurtër: pagën mujore, shpenzimet e përditshme, pushimet apo investimet e menjëhershme, etj. Por sa shpesh ndalemi seriozisht për të menduar për periudhën e pensionimit?
Një nga konceptet më të rëndësishme për të kuptuar këtë fazë të jetës është Piramida e Pensioneve. Ajo na ndihmon të kuptojmë se nga do të vijnë të ardhurat tona në pleqëri dhe sa të qëndrueshme do të jenë ato me kalimin e kohës.
ÇFARË ËSHTË PIRAMIDA E PENSIONEVE?
Piramida e Pensioneve paraqet strukturën e burimeve të të ardhurave gjatë pensionimit. Ajo ndërtohet mbi tre nivele kryesore, ku secili nivel luan një rol të rëndësishëm në sigurinë financiare të individit pas daljes në pension.
1. NIVELI BAZIK – SIGURIA MINIMALE NGA SHTETI
Niveli bazik përfaqëson pensionin bazik social, i cili financohet nga shteti. Aktualisht, shuma e garantuar në moshën e pensionimit (65 vjeç) është 150 EUR në muaj. Edhe pse ekzistojnë skema të tjera pensionale shtetërore, ato nuk janë të garantuara për të gjithë qytetarët, por vetëm për ata që plotësojnë kritere të caktuara.
2. NIVELI I MESËM – KONTRIBUTET E DETYRUESHME
Niveli i dytë i Piramidës së Pensioneve përbëhet nga kontributet e detyrueshme individuale, të cilat menaxhohen përmes Trustit Pensional. Përfitimi nga ky nivel lidhet drejtpërdrejt me: shumën e kontributeve të paguara ndër vite, kohëzgjatjen e kontributit dhe performancën e mjeteve të grumbulluara në Trust. Ky është niveli ku shumica e të punësuarve mbështesin pritjet kryesore për pensionin e tyre.
3. NIVELI I LARTË – PENSIONET VULLNETARE
Niveli i tretë përfaqëson kontributet vullnetare, të menaxhuara nga fondet private të pensioneve. Këto janë kursime shtesë që individi i bën me dëshirë, përtej obligimeve ligjore. Aktualisht në Kosovë ekziston vetëm një fond privat që është – Fondi Slloveno-Kosovar i Pensioneve. Edhe pse ky nivel i Piramidës së Pensioneve është ende i nënshfrytëzuar, ai është një mundësi e mirë për të kontribuar mjete shtesë për pensionim.
NJË SHEMBULL PRAKTIK: SA DEL PENSIONI NË REALITET?
Le të marrim një shembull konkret për ta kuptuar më qartë ndikimin e Piramidës së Pensioneve. Një individ që ka punuar me pagë mesatare që nga viti 2002 dhe ka kontribuar pa ndërprerje në Trust, sot do të kishte këtë strukturë mujore pensioni:
- Niveli bazik: 150 EUR
- Niveli i mesëm: rreth 200 EUR, bazuar në një bilanc mesatar prej 13,000 EUR në Trust, sipas planit aktual të tërheqjes mujore. Kjo shumë është e garantuar vetëm deri në shterimin e mjeteve, rreth 5 vite.
- Niveli i lartë: 0 EUR
Totali: 350 EUR në muaj. Kjo shumë përfaqëson rreth 55% të pagës mesatare aktuale dhe është pothuajse e barabartë me pagën minimale. Nga janari 2026, paga minimale pritet të arrijë në 425 EUR.
ÇFARË MUND TË BËJMË NDRYSHE?
Për të forcuar Piramidën e Pensioneve personale, është e rëndësishme që: të kuptoni sot gjendjen tuaj të financave personale (sa fitoni, sa shpenzoni dhe sa mund të kurseni), të kuptoni sot gjendjen e mjeteve në llogarinë e Trustit, të fillohet sa më herët planifikimin financiar afatgjatë, dhe të informoheni për mundësitë e pensioneve vullnetare.
PËRFUNDIM
Piramida e Pensioneve nuk është thjesht një koncept teorik ajo është një pasqyrë reale e së ardhmes sonë financiare. Nëse mbështetemi vetëm në dy nivelet e para, rrezikojmë të përballemi me vështirësi serioze gjatë pensionimit.
Planifikimi financiar nuk duhet të fillojë në moshën 60-vjeçare. Ai duhet të fillojë sot.

