Për shumë kultura tema për pagat ose fitimet nga punësimi është diskutim i skletshëm. Në këtë postim të Money Whiz tema nuk është “se sa fitoni?” por fokusi është në strukturën që ju duhet të dini se si tatohen të ardhurat nga pagat në Kosovë. Ju mund të thoni “mua më mjafton të di se cila shumë më del në bankë!” Patjetër, por p.sh. ju duhet gjithashtu të dini se cila shumë derdhet në llogarinë tuaj të fondit të kursimeve pensionale të Kosovës – Trusti. Këto gjithashtu janë paratë tuaja që fitoni, por që mund t’i tërheqni kur është më së e nevojshme – në pensionim.
PSE PAGUAJMË TAKSA? – NJË ARGUMENT MORAL
Së pari është detyrim ligjor. Çdo vonesë ose refuzim për të bërë pagesën mund të rezultojë në gjoba, pa përjashtuar edhe dënimin me burg. Së dyti, si qytetarë, pranojmë shumë shërbime publike në forma të ndryshme të financuara nga taksapaguesit. P.sh. gjatë periudhës Janar 2022-Shtator 2022, Qeveria e Kosovës shpenzoi gjithësej EUR 1.66 miliardë e që janë zbërthyer si në vijim:
- 29% për skema sociale dhe përfitime.
- 28% për kompensimin e punëtorëve (zyrtarët qeveriatar e lokal, mjekët, arsimatarët, policët etj).
- 13% për subvencione (pako për ndihmën ndaj rritjes së çmimeve dhe ringjalljes ekonomike.
- Dhe pjesa e mbetur për infrastrukturë dhe investime të tjera.
Pra, të ardhurat nga taksat që ne paguajmë u mundësojnë qeverive të investojnë në gjëra që e përmirësojnë mirëqenjen e shoqërisë. Në fund të fundit, ja vlen që këto taksa të paguhen në mënyrë të rregullt dhe të shmanget çdo tendencë për ikjen nga ky obligim.
SA ËSHTË NORMA E TAKSËS NË TË ARDHURAT PERSONALE?
Struktura e normës tatimore që aplikohet në të ardhurat personale (paga e bonuse) është e shkallëzuar. Pra, kjo do të thotë që sa më shumë fiton një individ aq më shumë paguan, por maksimumi është 10%. Këto janë shkallët tatimore sipas ligjit në fuqi:
Për kontekst, grafika e mëposhtme paraqet normat tatimore të disa shteteve të europës dhe fqinjëve tanë. Vlen të ceket që normat tatimore më poshtë janë ato maksimalet që mund të aplikohen. Pra, zakonisht këto shtete apikojnë strukturën e shkallëzuar, ngjashëm si Kosova por me norma më të larta tatimore.
PAGA NETO, PAGA BRUTO, TRUSTI!
Në vazhdim, përmes një shembulli ilustrativ do të shpjegohet procesi i tatimit në paga dhe kontributet në fondin e kursimeve pensionale të Kosovës. Fillimisht disa përkufizime:
- Paga Bruto – të ardhurat që merrni përpara se të hiqen taksat dhe kontributet. Kur flitet për krahasim të pagave, zakonisht bëhet fjalë për pagën bruto.
- Page Neto – ajo shumë që mbetet pasi janë hequr zbritjet si tatimi në të ardhurat dhe kontributet. Kjo është paga që ju pranoni në llogarinë tuaj bankare.
- Kontributet në Trusti – aktualisht, sipas ligjit në fuqi, punëtori dhe punëdhënësi duhet të paguajnë minimun 5% të pagës bruto secili për fondin e kursimeve pensionale. Këto nuk janë taksa, por janë kursimet tuaja, pra paratë e tuaja që do t’i merrni në të ardhmen.
Ilustrim: Struktura e tatimit të pagës
Çfarë po ndodhë në atë ilustrim? Le të themi që paga e kontraktuar me punëdhënësin është bruto EUR 500/muaj.
- Hapi 1 – Nga paga bruto fillimisht zbritet kontributi pensional prej 5% që në këtë shembull është EUR 25. Punëdhënësi detyrohet që shumën e njëjtë ta kontribuoj nga buxheti i kompanisë në llogarinë e punëtorit. Pra, në total EUR 50 derdhen në llogarinë e punëtorit në Trust.
- Hapi 2 – Paga që i nënshtrohet tatimit tash mbetet EUR 475. (Pra, EUR 500 i është zbritur kontributi i punëtorit prej 5% ose EUR 25). Kjo shumë kalon në shkallët tatimore të paraqitura më lart. Vlen të ceket që EUR 475 nuk tatohet menjëherë me 10%, por duhet të kalojë në të gjitha shkallët më lart. Nuk keni nevojë ta bëni kalkulimin sepse ekziston kalkulatori i ATK-së. Mjafton që ju ta futni shumën në kalkulator dhe ai e llogaritë pagën neto. Nëse synoni një pagë neto të caktuar, dhe dëshironi të dini sa t’i thuani punëdhënësit në termin bruto, atëherë kalkulatori ju mundësonë edhe këtë. Kalkulatori gjendet këtu.
- Hapi 3 – Pasi ju paguani kontributet dhe taksat, paga neto rezulton në EUR 449.70 sipas ilustrimit më lart. Këtu vlen të ceket që nese je i punësuar nga një punëdhënës, atëherë është punëdhënësi që paguan taksat në emër të punëtorit. Por nëse je i vetëpunësuar, atëherë ju vet obligoheni të deklaroni dhe paguani këto taksa.
Si përfundim, paga bruto është shumë me rëndësi sepse ajo është baza ku kalkulohet kontributi pensional, e kontributi pensional është paraja e juaj. Ju rekomandoj që të kontrolloni llogarinë tuaj në fondin pensional nëse punëdhënësi është duke i paguar këto obligime. Paga neto gjithashtu është me rëndësi sepse është paraja që ju keni në dispozicion për çdo muaj.