Si do të jetë pensioni juaj pas disa vitesh? A do të mjaftojnë kontributet që po paguani sot?
Për t’ju ndihmuar të krijoni një ide më të qartë, në Money Whiz keni në dispozicion një kalkulator pensioni, i cili shërben si mjet simulimi dhe planifikimi financiar.
Ky kalkulator bazohet në skemën e Trustit të Kosovës, pensioni obligativ për kontribuesit aktivë në Kosovë.
SI DUHET INTERPRETUAR REZULTATI
Le të marrim një shembull ilustrues.
Nëse sot keni një pagë bruto prej €350 në muaj, kontribuoni 10% për pension (5% punëdhënësi dhe 5% punëtori), dhe balanci juaj aktuale në Trust është €3,500. Supozojmë gjithashtu që paga rritet me 3% në vit, ndërsa kursimet pensionale gjenerojnë një kthim mesatar prej 4.22% në vit.
Në këtë rast, pas 30 vitesh, llogaria juaj e pensionit mund të arrijë një vlerë rreth €47,499.
Kjo shumë është e shprehur në vlerë të ardhshme të parasë dhe shërben vetëm si orientim. Të gjitha këto supozime mund t’i ndryshoni në kalkulator sipas rrethanave tuaja personale.
Rezultati i dytë i kalkulatorit paraqet pensionin mujor të vlerësuar. Në këtë shembull, shuma prej €264 në muaj tregon sa mund të përfitoni nga kursimet pensionale, nëse ato shpërndahen gjatë viteve të pensionimit.
Kjo shumë nuk përfshin pensionin bazik prej €150 në muaj, i cili duhet shtuar veçmas dhe nuk merr parasyshë shkallen tatitomore që aplikohet.
Vlen të ceket që në ditën e pensionimit nëse balanci juaj në Trust është deri në €3,000 atëherë ju mund të tërheqni gjithë balancën në llogarinë tuaj bankare. Nëse bilanci është më i madh se €3,000 përfituesi do të kalojë në programin për tërheqje në faza të kursimeve pensionale. Aplikuesi do të ketë mundësinë që 20% të bilancit ta tërheq përnjëherë, ndërsa pjesën tjetër çdo muaj prej minimumi €200 ose maksimumi 1% e bilancit total (kur shuma është mbi €20,000).

PËR ÇFARË SHËRBEN MË SË MIRI KY KALKULATOR?
Ky kalkulator duhet të përdoret si:
✅ Një vlerësim planifikues;
✅ Një mënyrë për të krahasuar skenarë të ndryshëm (ndryshoni pagën, vitet ose normën e kthimit);
❌ Nuk ofron garanci; dhe
❌ Nuk është parashikim i performancës së tregjeve financiare.
Nëse keni pyetje apo sugjerime, mos hezitoni të më shkruani në Instagram ose në emailin: blog.moneywhiz@gmail.com 📩.

