Mirësevini në postimin e dytë të blogut – Money Whiz. Nëse nuk jeni regjistruar ende dhe dëshironi të pranoni postimet e fundit direkt në emailin tuaj, mund të abonoheni falas.
Kthehemi te postimi ku unë do të shpjegoj karakteristikat e llogarisë së kursimit, ofroj përgjigje se a duhet të hapni një llogari kursimi, dhe ju tregoj se cilat janë opsionet që ofrohen nga bankat lokale në Kosovë.
Si funksionojnë llogaritë e kursimeve?
Llogaritë e kursimeve shërbejnë për deponimin e parave, zakonisht një shumë që nuk planifikoni ta shpenzoni menjëherë. Qëllimi i hapjes së një llogarie kursimi mund të jetë:
- Akumulimi i një fondi emergjent për situata të papritura;
- Akumulimi i fondeve për qëllime të tjera specifike (udhëtime, blerje e veturës, blerje e shtëpisë, edukim i fëmijëve etj.).
Kur bëhet fjalë se cili është dallimi në mes të llogarive të kursimit dhe atyre rrjedhëse, ndryshimi kryesor ka të bëjë me qëllimin e përdorimit. Infografika e mëposhtme paraqet disa nga dallimet kryesore.
Për hapjen e një llogarie të kursimit, zakonisht kërkohet të keni një llogari rrjedhëse prej të cilës bëhen transferet e parave në atë të kursimit apo edhe anasjelltas. Gjithashtu, bankat obligohen të paguajnë një lloj interesi në bilacin tuaj të kursimeve përderisa ju keni para në llogari. Vlenë të ceket që aktualisht depozituesit në Kosovë janë të siguruar, për secilën bankë anëtare, deri në shumën e siguruar prej EUR 5,000. Këtu përfshihen paratë në llogari rrjedhëse, atë të kursimeve apo edhe depozitat me afat. Kjo mundësohet nga sistemi për Sigurimin e Depozitave që është themeluar me Ligjin mbi Sigurimin e Depozitave në vitin 2010.
Llogaritë e kursimeve mund të klasifikohen sipas kohës dhe frekuencës që shfrytëzuesi planifikon të tërheqë ato para:
- Llogaritë e thjeshta të kursimeve: zakonisht shfrytëzuesi mund të terheqë paratë sipas nevojës. Ekziston një limit se sa tërheqje mund të bëhen mbrenda muajit dhe bankat mund të aplikojnë tarifë nëse ky limit tejkalohet.
- Depozitat e afatizuara: nëse ju vendosni që kursimet tuaja të afatizohen, kjo do të thotë që ju pranoni t’i lini paratë tuaja në llogari të kursimeve për një kohë të caktuar dhe nuk mund të tërhiqen përpara kësaj kohe. Ose në të kundërtën, ju ndëshkoheni nga banka.
A duhet të hapni një llogari kursimi?
Përgjigja e shkurtër është: PO 😃.
Përgjigja më e gjatë: varet nga personaliteti i juaj financiar dhe vendimet që ju merrni në lidhje me paranë. P.sh. unë mund të kursej para edhe duke i lënë ato në llogarinë rrjedhëse sepse jam kogja i disiplinuar. Por, hapja e një llogarie të kursimit rekomandohet sepse ndihmon më shumë në zhvillimin e dukurisë së kursyerit.
Një ndër arsyet kryesore pse të hapni një llogari kursimi është sepse ju ofron mënyrën më të lehtë për të krijuar kursime. Pra duke vendosur në mënyrë automatike një shumë të caktuar të kalojë në llogarinë tuaj të kursimeve në momentin që ju pranoni pagën. Do të habiteni se sa shpejt do të mësoni të buxhetoni pa atë shumë ‘të munguar’ të pagës dhe në të njëjtën kohë do të akumuloni kursime.
Çfarë ofrohet nga bankat në Kosovë?
Tani veç keni vendosë me hapë një llogari të kursimit, por nuk jeni të sigurtë se çfarë ofrohet në treg nga bankat lokale. Infografika e mëposhtme përmbledhë normat e interesit bashkë me çmimet përkatëse të llogarive të thjeshta të kursimit.
Siç ceket edhe më lartë, zakonisht bankat kërkojnë që ju të keni një llogari rrjedhëse para se të bëni hapjen e llogarisë së kursimeve. Gjithashtu, mund t’ju kërkohet të bëni një deponim minimal në rastin e hapjes të llogarisë së kursimeve.
Shihemi në postimin e rradhës.