DALLIMI MES NEVOJËS DHE DËSHIRËS NË FINANCAT PERSONALE

Pse dhjetori na bën më “dorëlëshuar”?

Muaji dhjetor është periudhë festive. Atmosfera e gëzueshme na bën të ndihemi më në qejf dhe shpesh kjo reflektohet në shpenzimet personale. Për shumë prej nesh, ky muaj është i lidhur me emocione dhe, si pasojë, bëhemi më pak të disiplinuar financiarisht. Kjo na çon tek pyetja e madhe: Si të dallojmë nevojën nga dëshira?

Çfarë është dallimi mes nevojës dhe dëshirës?

Shumë shpesh, një dëshirë mund të duket si nevojë. Shembull: një palë patika të reja. Mund të mendosh se i ke me bollëk, por reklamat dhe impulset emocionale mund të të bindin se ke “nevojë” për të reja. Pyetja që duhet bërë gjithmonë është: “A kam vërtetë nevojë për këtë gjë?”

Si e arsyetojmë shpesh një blerje? Zakonisht me thënjet si “e meritoj”, për “këtë po punojë” dhe “më bën të ndihem mirë”. Edhe pse nuk janë të gabuara, këto arsyetime shpesh janë emocionale dhe jo racionale. Shumë nga këto blerje përfundojnë në garazh, depo ose thjesht hidhen.

Si ta gjejmë balancën mes nevojave dhe dëshirave?

Nuk ka një listë fikse për secilën familje. Financat personale janë unike dhe varen nga vlerat e secilit. Megjithatë, ekziston një metodë e thjeshtë për të akomoduar të dyja. Le të vazhdojmë me specifikat e metodës. Kjo metodë përfshin tri shtylla kryesore ku shkojnë paratë nga paga juaj:

1. Shpenzimet për nevoja (60% – 70%)

Këto janë shpenzime të pashmangshme: ushqimi, banesa (qira, rrymë, ujë, ngrohje, mbeturina), transporti (veturë ose publik), shpenzimet për punë, abonimet bazë (internet, TV).

2. Kursime dhe investime (10% – 20%)

Fillimisht, këtu hyjnë kursimet. Investimet mund t’i trajtojmë në një artikull tjetër, por e rëndësishme është të krijojmë një zakon të fortë për të ndarë një pjesë të të ardhurave.

3. Shpenzimet për dëshira (20% – 30%)

Këtu hyjnë gjërat që të bëjnë të ndihesh mirë: argëtimi, udhëtimet, hobi personal etj.

Varësisht pagës suaj, këto përqindje mund të lëvizin nga pak, por për nga rënditja dhe prioriteti ajo rënditje qëndron.  Ju mund të bëni ndryshime varësisht situatës suaj. 

Përfundim: Si ta aplikosh në rastin tuaj?

  • Pyet veten gjithmonë: “A është kjo një nevojë apo thjesht një dëshirë?”
  • Filloi gradualisht me ndarjen e buxhetit sipas metodës më lart.
  • Fillimisht mbaj shënime mujore për të parë progresin.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *