MËNYRAT PËR TË DISKUTUAR ÇËSHTJET E PARAVE ME PARTNERIN TUAJ

Diskutimi për para me partnerin tuaj nuk është tema më romantike apo interesante dhe mund të them është kogja e sikletshme. Personalisht, këtë temë e kemi iniciuar për diskutim tash edhe pse jemi në lidhje për shumë vite. Pse tash? Sepse është hera e parë që ne kemi përgjegjësi të përbashkëta rreth shpenzimeve jetësore, por edhe për planifikimin e një të ardhme për mirëqenjen tonë. Ky diskutim është në vazhdim e sipër derisa mësojmë më shumë për personalitetet financiare të njëri-tjetrit. 

Nuk ka pse të shkaktohet parehati kur flitet për financat me partnerin tuaj. Unë mendoj që këshillat në vazhdim janë thelbësore për një qasje pozitive ndaj kësaj teme:

PAJTOHU TË MOS PAJTOHENI

E kam potencuar edhe në postimet e kaluara, jo të gjithë jemi të njëjtë dhe kemi personalitete të ndryshme financiare. Disa shpenzojnë më shumë, e disa kursejnë më shumë. Personalitetet e tilla të ndryshme mund të çojnë në argumente të padobishme. Fillimisht, pranoni që jeni personalitete të ndryshme dhe filloni bisedën për para pa paragjykime, duke diskutuar zakonet e njëri-tjetrit, si të mirat ashtu edhe të këqijat. Ky duhet të jetë një diskutim i hapur dhe i sinqertë midis dy njerëzve që kujdesen për njëri-tjetrin dhe synojnë të vazhdojnë rrugën së bashku. 

MOS PRISNI DERISA TË NEVRIKOSENI

Është mirë të praktikohet që diskutimet rreth financave personale të bëhen në intervale kohore të rregullta. Mos prisni derisa një blerje e madhe nga partneri/ja juaj t’ju mërzitë e t’ju çojë në argumente. Paratë janë pjesë e jetës dhe është e rëndësishme të flasim për to, që të parandalohen keqkuptimet dhe problemet më të mëdha.

FOKUSI NUK DUHET TË JETË NË NUMRA

“Qysh a EUR 100 paska kushtu kjo a?!”  Është e lehtë me shtru një pyetje të tillë me një ton retorik në moment pa menduar shumë. Kjo mund të rezultojë me një përgjigje justifikuese ose edhe më keq. Normal që shuma apo numri ka rëndësi por në vend të kësaj, provoni të diskutoni për qëllimet e jetës si çift. P.sh. blerja e një shtëpie, krijimi i familjes, shkollimi i fëmijëve, kursimet për jetën gjatë pensionit, etj. Diskutimet e tilla j’u mundësojnë të mësoni më shumë rreth vlerave dhe qëllimeve të njëri tjetrit në raport edhe me financat personale. Vendosja e disa qëllimeve shërben si binarë për rrugën që ju dëshironi ta merrni si çift. Arritja e këtyre qellimeve bëhet më e lehtë kur ka buxhetim të financave që shërben si vegël për monitorim financiar.

ËSHTË PËRGJEGJËSI E PËRBASHKËT

Një aspekt thelbësor i diskutimit për financat personale është të vendosni nëse do t’i kombinoni financat, t’i mbani ato të ndara ose një model tjetër që j’u pershtatet të dyve. Pasi të bini në dakord për një qasje, mund të përcaktoni specifikat. P.sh. në rastin tim, për shumicën e shpenzimeve ne së bashku marrim përgjegjësi. Por, në anën tjetër, gjithashtu kemi pjesët tona të ndara. Thjesht, përqendrohuni në pikat e forta të njëri-tjetrit dhe menaxhoni financat e përbashkëta sipas këtij parimi.

ËSHTË NJË RRUGËTIM

Me kalimin e kohës, situata juaj financiare dhe qëllimet jetësore mund të evoluojnë. Megjithatë, ky komunikim duhet të vazhdojë në mënyrë që çdo sfidë financiare të tejkalohet së bashku. Mos harro që paratë mund të jenë çështje emocionale, ndaj duhet një qasje praktike, ku secili partner të ndihet i dëgjuar dhe i mirëkuptuar. 

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *