LLOJET E PERSONALITETEVE FINANCIARE – CILI JENI JU?

postimin e parë të blogut ku kam shkruar në lidhje me rëndësinë e kursimeve, pata përfshirë edhe një ilustrim grafik që përshkruante personalitetet financiare me nga një fjali. Duke ditur rëndësinë e kësaj teme, po ja dedikoj një postim të tërë me më shumë detaje e kontekst. Për dallim nga postimet e kaluara ku kam pasur një hyrje para se të kaloja në temë, këtu po vazhdoj drejt e me temën e këtij postimi – Llojet e personaliteteve financiare. 

Për ta thënë thjesht: ne si njerëz ndjejmë lakmi, frikë, shpresë, e knaqësi/eksaltim – pra të gjitha llojet e emocioneve. Janë pikërisht këto ndjenja që shpesh ndikojnë kur marrim vendime të paarsyeshme financiare. Në bazë të disa studimeve, thuhet që vendimet tona financiare bazohen 90% në emocion dhe 10% në logjikë. E këtë më së miri e kanë shfrytëzuar industria e reklamimit dhe brendimit ku përmes taktikave të ndryshme përpiqen të na shtyejnë për të shpenzuar para në produkte e shërbime të ndryshme. Shtoja kësaj faktin që ne sot jemi non-stop në telefona dhe platforma dixhitale, atëherë ne i lejojmë këto kompani e organizata të na kontrollojnë në mënyrë specifike duke na nxitur impulset tona për të shpenzuar.

Megjithatë, nëse mësojmë më shumë se si emocionet ndikojnë tek ne kur vjen puna te vendimarrjet financiare, atëherë ne mund të kontrollojmë më mirë paratë tona duke u bërë më racionalë me menaxhimin e financave personale dhe blerës më pak impulsiv. 

Në bazë të asaj që kam mësuar gjatë studimeve dhe pastaj hulumtimeve të ndryshme, ka shumë lloje të personaliteteve financiare, por jam munduar që ato t’i grupoj në katër lloje që do të shpjegohen këtu.

Përtacët

Karakteristikat: Personalitetet e të tilla me çdo kusht shmangin rastin për të organizuar financat e tyre personale. Rrallë kontrollojnë pasqyrat e tyre bankare për të kuptuar se ku po shpenzohen paratë. Thuhet që kjo sjellje nxitet edhe nga rahatia që më mirë mos të kuptoj se ku janë shpenzuar paratë. Ky status quo i bën të ndihen të sigurtë por e vërteta është që ata nuk e kanë idenë se janë pa një plan financiar.

Veprimet që duhen të merren: Bëni shprehi ta kontrolloni gjendjen bankare dhe uluni të shikoni financat tuaja. Shiko në detaje se në çka po shpenzohen paratë dhe ku mund të kursehet. Kërko këshilla nga rrethi shoqëror ose familjar që kanë njohuri më shumë rreth menaxhimit të financave personale.

Shpenzuesit

Karakteristikat: A ke një ndjenjë knaqësie kur bën shopping? Bën dhurata, apo bën edhe udhëtime të ndryshme gjatë vitit? Nëse po, atëherë ju mund të jeni prej atyre shpenzuesve që përdorin paratë si arsye që të ndjeheni i/e eksaltuar apo edhe lumtur. Në shumicën e rasteve këto ndjenja janë momentale dhe nuk zgjasin shumë por fatkeqësisht mund të përfundojnë edhe me borxhe përmes kredive apo edhe kredit kartelave.

Veprimet që duhen të merren: Shmang tentimet për të shpenzuar në rastin e parë të pranimit të rrogës. Kontrollo në mënyrë të detajuar se në çka shpenzohet e sidomos ato impulsive. Fillo me buxhetimin e financave personale (për ta lehtësuar këtë, në postimin e parë të blogut kam publikuar një vegël për buxhetim që mund të përdoret). Gjithashtu nëse kjo ju shqetëson, mund të bisedoni me rrethin shoqëror ku jeni rehat dhe të kërkoni ndihmë.

Dhuruesit

Karakteristikat: Personalitetet e tilla vendosin në radhë të parë të gjithë të tjerët e pastaj veten e tyre. Janë bujarë me paratë e tyre dhe zakonisht nuk kanë një plan për të ardhmen.  Sjelljet e tilla mund t’i bëjnë të ndihen më të pranuar në një rreth shoqëror. Fatkeqësisht mund rrezikohen nga përdoruesit duke e marrë parasysh personalitetin e tyre. 

Veprimet që duhen të merren: Është mirë të vendosen disa kufij me njerëz dhe të definohen qëllimet dhe prioritetet personale. Në këtë mënyrë mund të shmangen disa vendime të pafavorshme që mund të dëmtojnë veten. Gjithashtu mund të kërkohet edhe ndihmë nga rrethi i ngushtë. 

Kontrolluesit

Karakteristikat: Mund të thuhet që nga katër grupet, kontrolluesit janë ata që menaxhojnë më mirë financat e tyre personale. Një nga arsyjet është që janë më të edukuar për nga aspekti i financave personale, kanë një diciplinë mbi vendimet financiare, por edhe buxhetojnë e planifikojnë për të ardhmen. Një simptomë e personaliteteve të tilla mund të jetë fiksim për të pasur nën kontrollë çdo gjë.

Veprimet që duhen të merren: Është mirë të shikohen gjërat nga një këndvështrim më i gjerë. Ndoshta është mirë të konsultohet edhe një këshilltar financiar për definimin më të saktë të qëllimeve financiare në të ardhmen.

Gjëja pozitive? Me vetëm pak edukim dhe diciplinë, këto veprime janë të lehta për tu kapërcyer. Pra, të kuptuarit pse merrni vendime dhe si t’i rimendoni ato kur është e nevojshme, është një nga aftësitë më të rëndësishme të menaxhimit të parave që mund të mësoni.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *