Si fëmijë jam rritur në një familje me shumë eksperiencë jetësore por pa ndonjë edukim financiar të përsosur. Edukimi i lartë i prindërve të mi ka qenë në fusha jo ekonomike dhe financiare. Menaxhimi i buxhetit familjar është bazuar kryesisht në eksperiencë jetësore me qëllimin që unë dhe motra ime të kemi kushte të mira.
Gjatë asaj periudhe nuk mbaj mend të kem dëgjuar shumë biseda rreth financave personale, por një gjë e mbaj mend: “me marr kredi” konsiderohej si veprim i keq dhe dëmtues. Kryesisht kjo ishte e bazuar në nivelin e lartë të kamatave të asaj kohe p.sh. në vitin 2014 kamatat kanë qenë mbi 12% (për kontekst, sot ~6%).
Marrja e një kredie mund të jetë e ndërlikuar megjithatë ideja e “kredisë” nuk është një monolit. Ka disa nuanca, sepse ka lloje të ndryshme të kredisë. Në këtë postim do të diskutohet një këndvështrim ndryshe rreth vendimmarrjes për kredi, si dhe disa shembuj borxhi që duhet të jeni të kujdesshëm.
JO TË GJITHA LLOJET E KREDIVE JANË TË KËQIJA — POR…!
Bankat komerciale ofrojnë lloje të ndryshme kredish: personale, përmes kredit kartelës, hipotekare etj. Funksionalisht, një kredi ju lejon të shpenzoni përtej mundësive tuaja vetanake. Në parim kjo nuk është diçka e keqe. Kredia bëhet e rrezikshme kur përdoret për “nevoja” të shtrenjta dhe prestigj.
Kur filloni të konsumoni gjëra jo-thelbësore përmes kredisë, ky lloj borxhi mund të dalë shpejt jashtë kontrollit. Një shembull tipik është kredit kartela blerjet përmes saj ju mundësojnë kredi afatshkurtër, por nëse kjo kredi nuk paguhet çdo muaj, ngarkohet me norma shumë të larta interesi dhe bëhet shpejt e pamenaxhueshme.
Në anën tjetër, disa lloje kredish mund të ndikojnë pozitivisht në arritjen e qëllimeve jetësore. P.sh. kredia hipotekore për blerjen e shtëpisë konsiderohet kredi e mirë — jo vetëm sepse shtëpia është një aset me rritje vlere afatgjatë, por sepse përmbush edhe nevoja themelore njerëzore:
- Nevojat fiziologjike — ngrohtësi fizike dhe relaks
- Nevojat për siguri — streha ku ndiheni të mbrojtur
- Përkatësia dhe dashuria — rrënjë dhe marrëdhënie të qëndrueshme
- Krenaria — pronësia si simbol i arritjes
- Vetë-aktualizimi — hapësirë krijuese, punëtori, studio etj.
Ekzistojnë lloje të ndryshme shtëpish — nga e vogla deri te luksozia — dhe të gjitha i përmbushin këto nevoja, por me kosto shumë të ndryshme. Ndaj, gjersa mendoni për blerje, mendoni me sinqeritet: çfarë shtëpie doni dhe çfarë nevoje po përpiqeni të plotësoni?
Paratë janë tuajat dhe nuk keni nevojë për lejen e askujt. Por do të keni nevojë për lejen nga vetja juaj e të ardhmes — sepse do të keni pagesat e kredisë për 15–25 vitet e ardhshme.
GJËJA E VETME E PËRBASHKËT E ÇDO BORXHI
Në momentin që keni një kredi, kjo menjëherë rezulton në ngushtimin e gamës së ndodhive negative që mund të përballoni.
Le të mendojmë për jetën si një rrugëtim. Gjatë jetës përballemi me sfida të ndryshme: sëmundje, luftëra, pandemi, tranzicione karriere, emergjenca familjare. Kur keni kredi, numri i sfidave që mund t’i përballoni pa u rrënuar financiarisht ngushtohet ndjeshëm ju mbeten më pak opsione dhe fleksibilitet.
Sa janë gjasat që në vitet e ardhshme 10, 20, 30, 40 apo 50 vjet të përballemi me të paktën një nga këto sfida? Përgjigja është 100%.
Përfundim
Ky postim nuk është përgjigje nëse duhet apo nuk duhet të merrni kredi. Ai vetëm tregon disa këndvështrime se si mund të mendohet vendimmarrja për kredi dhe ky vendim është shumë më tepër se llogaritja e kamatës që në fund duhet të ktheni. Është vendim për lirinë tuaj financiare dhe aftësinë tuaj për t’u përballur me të papriturat e jetës.


Pingback: 5 KONCEPTET FINANCIARE QË DUHET T'I DINI (SHPJEGUAR THJESHTË) - Money Whiz