Ditëve të javës zakonisht dal për kafe në ambientet e jashtme edhe për të ndërruar pak vendin, edhe për socializim. Nëse do të “falimentoja” financiarisht, nuk do të jetë për shkak të shpenzimeve për këto kafe!
Shpesh shoh këshilla rreth financave personale që thonë diçka si kjo: “po nëse konsumon x kafe në javë në ambientet e jashtme, atëherë 52 javë × x = EUR x në vit vetëm për kafe”. Hipotetikisht, nëse total në vit po shpenzoje EUR 300 për kafe , a do të “falimentonit” për shkak të këtyre EUR 300? Patjetër që jo.
“Falimentimi” ka më shumë gjasa të ndodhë nëse bëni gabime të mëdha financiare si blerja e një makine të shtrenjtë me pagesa kreditore të larta mujore, marrja e një kredie pa planifikim, apo përdorimi i pa-kontrolluar i kredit kartelave. Këto janë gjërat që mund t’ju shkaktojnë probleme financiare jo disa shpenzime të vogla.
Një shtëpi e shtrenjtë mund të çojë në një jetë të shtrenjtë!
Për shumë nga ne, blerja më e madhe është shtëpia. Kjo blerje përcakton shumë gjëra rreth financave tona personale. Planifikimi fillon me marrjen e një kredie bankare shuma e së cilës varet drejtpërdrejt nga shtëpia që planifikohet të blehet.
Nëse planifikoni të blini një shtëpi të madhe dhe të shtrenjtë në një zonë atraktive, atëherë ka shumë gjasa:
- E mobiloni me gjëra të shtrenjta, sipas dizajnit arkitekturor modern
- Blini edhe një makinë të shtrenjtë për të mos “dalë jashtë vendit” në lagje
- Shoqëroheni me fqinjë me hobi të shtrenjta — dhe i praktikoni edhe ju
- Të gjitha këto vendime ju shtyjnë të merrni kredi edhe më të mëdha
Me çdo blerje shtëpie vijnë edhe obligime shtesë: tatimi në pronë, sigurimi dhe mirëmbajtja. Kjo ndodh sepse ne si njerëz nuk marrim vendime gjithmonë racionale shumica janë vendime emocionale. Pra: një shtëpi e shtrenjtë mund të çojë në një jetë të shtrenjtë.
Shpenzimet mujore fikse diktojnë financat tuaja personale
Shpenzimet fikse janë shpenzime që mbeten konstante çdo muaj. Çfarë përfshijnë? Kesti kreditor ose qiraja, pagesat e kredit kartelës, shpenzimet komunale (ujë, rrymë, mbeturina), shpenzimet e veturës, gjërat ushqimore dhe abonimet e ndryshme (palestra, Netflix, Spotify etj.).
Një praktikë e mirë është të listoni të gjitha kostot tuaja fikse dhe të shikoni totalin mujor. Ky numër është shumë i rëndësishëm ai dikton sa mund të kurseni. Dhe zakonisht, pjesëmarrjen më të madhe e zënë shpenzimet e shtëpisë: kesti kreditor mujor ose qiraja.
Por çfarë ndodh nëse të ardhurat tuaja pësojnë rënie ose ndodh ndonjë rast emergjent? Shpenzimet e vogla mund të eliminohen brenda natës — por ndryshimet e kredive dhe kësteve mujore nuk janë aq të lehta. Edhe nëse vendosni ta shisni shtëpinë, kjo kërkon kohë — dhe nëse keni nevojë të shesni shpejt, jeni të gatshëm të pranoni çmim më të ulët.
Këtu hyn në lojë fondi emergjent
Fondi juaj emergjent duhet të mbulojë shumën totale të kostove fikse për së paku 6 muaj. Shembull:
Mbajini këto para në një llogari bankare larg parave që përdorni rregullisht. Nëse nuk mund t’i bëni paratë për këtë fond emergjent — kjo është një shenjë e qartë se kostot tuaja fikse janë shumë të larta dhe duhet të bëni disa ndryshime.
Përfundim
Mos u shqetësoni për kafen e mëngjesit. Shqetësohuni për vendimet e mëdha: cilën shtëpi blini, çfarë kredie merrni, si e menaxhoni buxhetin mujor. Ato janë vendime që ndikojnë për dekada jo EUR 300 në vit për kafe.

