Në postimin e kaluar shkrova për fazat financiare që na përcjellin gjatë jetës sonë. E faza e fundit është ajo e pensionimit. Pikërisht në këtë postim të Money Whiz do të shtjellohen më detajisht aspektet kryesore rreth pensionimit në Kosovë. Specifikisht do të mundohem tu përgjigjem pyetjeve në vijim:
- Si funksionon pensioni në Kosovë?
- Si funksionon Trusti?
- Ku investohen paratë që janë nën menaxhimin e Trustit?
- Cili është objektivi dhe performanca e Trustit?
SI FUNKSIONON PENSIONI NË KOSOVË?
Idea e të ardhurave të vazhdueshme pas pensionimit apo pensioni është shumë e vjetër dhe me kohë ka marrë forma të ndryshme. Por edhe sot thelbi i konceptit të pensioneve mbetet i njëjtë – sigurimi i një pjese të të ardhurave pas përfundimit të ciklit të punës.
Ka lloje të ndryshme të skemave pensionale. Një nga më të zakonshmet është ajo ku punëtori ashtu edhe punëdhënësi i juaj kontribuoni një përqindje të pagës bruto në llogarinë tuaj pensionale. Pensioni është efektivisht një llogari e kursimeve personale por që obligohet me kornizë ligjore. Në Kosovë kjo funksionon si në vijim:
- Minimum 10% e pagës bruto (5% punëtori dhe 5% punëdhënësi) derdhen në llogarinë tuaj pensionale. Trusti është institucioni përgjegjës për administrimin dhe menaxhimin e këtyre llogarive dhe kontributeve financiare.
- Shteti i Kosovës nuk ngarkon asnjë taksë gjatë periudhës që ju kontribuoni e deri në rastin kur ju mundësohet tërheqja e parave. Taksa aplikohet vetëm në tërheqjen e mjeteve.
- Idealisht bilanci në llogarinë tuaj rritet dhe ju keni mjaftueshëm para gjatë periudhës në pension. E kjo varet nga niveli i pagës tuaj (sa më e madhe, aq më shumë kontribute derdhen në llogarinë tuaj) dhe performancës së kontributeve të investuara.
Si kontribues në fondin pensional, ju keni mundësi të monitoroni bilancin dhe detajet e llogarisë tuaj, dhe të informoheni për kontributet që janë paguar në emrin tuaj. Qasja mundësohet përmes uebfaqes: https://online.trusti.org/#/ .
SI FUNKSIONON TRUSTI?
Trusti (Fondi i Kursimeve Pensionale i Kosovës) është institucioni përgjegjës për menaxhimin dhe investimin e kontributeve si dhe për administrimin e llogarive individuale të kursimeve pensionale deri në pensionim. Ky institucion është i rregulluar me ligjin për “Fondet Pensionale në Kosovë” dhe rregullohet nga Banka Qendrore e Kosovës me rregulloret legjislative dytësore.
Financimi i Trustit bëhet nga kontribuesit e tij dhe jo nga buxheti i Qeverisë të Kosovës. Shpenzimet e Trustit ndahen në dy grupe: shpenzimet që kanë të bëjnë me investimin e kontributeve dhe shpenzimet operacionale (pagat e personelit të Trustit, shpenzimet e zyrës, pagat e Bordit Drejtues, dhe shpenzime të tjera).
Por, kush vendosë ku të investohen kontributet? Sipas ligjit aktual, Bordi Drejtues vendosë se ku dhe kur duhet të investohen kontributet pensionale. I gjithë institucioni qeveriset nga Bordi Drejtues dhe është përgjegjësia e këtij Bordi që përfituesit e fondit pensional – pra kontribuesit dhe pensionerët — të kenë kthime pozitive më të madhe se sa inflacioni në Kosovë. Vendimmarrja merret në bazë të legjislacionit në fuqi, dhe aftësive profesionale të vendimmarrësve.
Menaxhmenti i Trustit nuk janë pjesë e Bordit Drejtues. Cilat janë aktivitetet e menaxhmentit? Menaxhmenti ka rolin operacional, pra sigurohet që institucioni ofron shërbime ndaj kontribuesve, funksionimin e shërbimit online të eTrusti, digjitalizmin e proceseve, ekzekutimin e vendimeve të marra nga Bordi Drejtues dhe asiston Bordin në vendimmarrjen mbi investimin e kontributeve etj.
KU INVESTOHET KONTRIBUTET FINANCIARE QË MENAXHON TRUSTI?
Bordi Drejtues është përgjegjës për investimin e këtyre kontributeve në bazë të principeve të shëndosha të investimit. Aktualisht Trusti menaxhon rreth EUR 2.5 miliardë të shpërndara në rreth 792,995 llogari pensionale.
Vendimi për investimet bëhet në bazë të bindshmërisë profesionale të Trustit, gjithmonë duke rrespektuar legjislacionin përkatës. Parimisht vendimi për investimin e kontributeve merret në bazë të vlerësimit të atraktivitetit të instrumenteve të ndryshme financiare të disponueshme për Trustin.
Aktualisht sipas instrumenteve të ndryshme financiare ja si janë të investuara EUR 2.5 miliardë:
E nëse kjo zbërthehet tutje sipas shteteve, 89% e EUR 2.5 miliardë janë të investuara në këto 10 shtete. Duhet të theksohet se pjesa e shumicës të investimeve në Kosovë janë në:
- Dhënien e kredive shtetit të Kosovës, përkatësisht Qeverisë të Kosovës – rreth 20%.
- Investimin e parave në instrumentet e depozitave në bankat e Kosovës – rreth 5%.
- Dhe vendosjen e parave në Bankën Qendrore – rreth 5%.
Por, cilat janë kompanitë globale që Trusti ka investuar? Grafika e mëposhtme paraqet top 10 kompanitë sipas përqindjes në raport me mjetet që menaxhohen:
CILA ËSHTË PERFORMANCA HISTORIKE E TRUSTIT?
Performanca e kontributeve që Trusti i investon në tregjet financiare globale varet nga shumë faktorë si: ekonomik, financiar, gjeopolitik, por edhe aftësia profesionale e vendimmarrësve në kuadër të Trustit. Gjithashtu komunikimi i performancës gjithmonë duhet të bëhet në formë relative, pra në përqindje sepse kjo mundëson edhe krahasimin e performancës me referenca të tjera.
Çdo fond pensional ka edhe objektivat e veta e që janë zakonisht të matshme në mënyrë që të mundësohet vlerësimi i performancës por edhe të bëhen ndryshimet e nevojshme nëse objektivat nuk janë duke u arritur.
Në rastin e fondit pensional të Kosovës – Trusti, objektiva e investimit të kontributeve është që performance e tyre, pra kthimi i investimit të jetë ma i lartë se sa inflacioni në Kosovë. Kjo do të matet duke krahasuar kthimin e investimeve të Trustit në krahasim me indeksin e çmimeve të konsumit në Kosovë.
Logjika e këtij objektivi është e shëndoshë sepse paratë tona duhet të ruajnë fuqinë e tyre blerëse dhe kur të dalim në pension ta kemi së paku vlerën e njëjtë ose më shumë. Por si ka performuar Trusti në raport me këtë objektiv?
Tabela tregon rezultate negative gjatë çdo periudhe krahasuese duke përfshirë edhe atë nga themelimi i Trustit (viti 2002). Çka do të thotë kjo? P.sh. Për periudhën 5-vjeçare (maj 2018 – maj 2023) kontributet tona kanë humbur vlerën e tyre blerëse për 14.12%. Kuptohet nëse ke qenë kontribues në Trust nga kjo periudhë.
Ky rezultat negativ është ndikuar nga rritja e shpejtë e inflacionit që nga viti 2021 por nuk duhet anashkaluar edhe përgjegjësitë e vendimmarrësve të Trustit sepse në fund të ditës ne si kontribues kemi deleguar aftësinë profesionale te ata për ta bërë këtë punë me sukses.
Siç shihet kjo strategji e investimit nuk po jep rezultate të mira dhe si pasojë duhet të merren hapat e duhur për të bërë ndryshimet e nevojshme që investimi i kontributeve financiare të rezultojë në kthim pozitiv pas inflacionit. Nuk duhet të pritet që inflacioni të ulet sepse ajo nuk mund të kontrollohet.